Finlanda pritet të vendosë nëse do të kërkojë anëtarësim në NATO pas disa javësh, dhe jo muajsh, tha sot Kryeministrja Sanna Marin, duke nënvizuar një kthesë të qëndrimit të vendit të saj për sigurinë, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Finlanda dhe fqinji i saj nordik, Suedia, janë partnere të ngushta të NATO-s, por jo anëtare të aleancës, që u krijua në vitin 1949 si kundërpeshë ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

“Duhet të jemi të përgatitur për çdo lloj akti të mundshëm nga Rusia”, tha sot kryeministrja finlandeze, gjatë një konference të përbashkët shtypi në Stokholm me homolohen suedeze. Ajo shtoi se anëtarësimi në NATO duhet shqyrtuar me kujdes, por theksoi se gjithshka ka ndryshuar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Finlanda ka një kufi prej 1300 kilometrash me Rusinë. Anketat në Finlandë tregojnë se 68 për qind e mbështesin anëtarësimin në NATO dhe vetëm 12 për qind janë kundër.

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha se ka si përfitime, edhe humbje, nga anëtarësimi, duke theksuar se përfitimi kryesor është Artikulli 5 i aleancës që e konsideron sulmin ndaj një vendi anëtar si sulm ndaj të gjitha vendeve.

Suedia, e cila ka qënë neutrale në Luftën e Dytë Botërore, nuk ka zhvilluar luftë në 200 vitet e fundit.

Rusia i ka paralajmërur të dy vendet kundër anëtarësimit në NATO. Në se këto vende anëtarësohen, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, Rusia “do të ribalancojë situatën” me masat e veta./VOA/