Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka mbajtur fjalën e saj sot në Kongresin e Partisë Socialiste dhe ka bërë një prezantim të rezultateve të Këshillit Kombëtar të cilin e ka konsideruar si një ushtrim të domosdoshëm të demokracisë funksionale.
Më tej, Ministrja Spiropali ka evidentuar një ndër rezultatet e Këshillit Kombëtar ku mbi 431 mijë qytetarë janë shprehur se ata janë të bindur që nënat me fëmijë të mitur duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti.
Në vijim të fjalës ka ndarë historinë e një qytetareje, nënë e tre fëmijëve të mitur që e dëshmon nevojën e këtij vendimi.
“Rina është nënë e vetme e tre fëmijëve të mitur. E ndihmon vëllai dhe shpresa se fëmijët rrisin njëri-tjetrin. Punon dy punë, por nevojat e saj janë shumë më të mëdha. Shkallët e pallatit të lartë që ajo i lan kat më kat tre herë në javë dhe dy apartamentet ku pastron, lan e hekuros, janë pak për dëshirat e saj. Rinën nuk e njohin as politikanët e improvizuar të armatosur me mllefe dhe as analistët e mbrëmjeve që zgjohen vonë mëngjeseve; kur ajo lan shkallët, ata përdorin ashensorë të dedikuar. Eshtë e vështirë të jesh grua në Shqipëri dhe aq më tepër të jesh i varfër. Në Shqipërinë e atyre që jetojnë në avionë, varfëria është krimi më i madh. Por krej ndryshe nga ta mendon shumica e shqiptarëve” – u shpreh znj. Spiropali.
Më tej theksoi se mbi gjysëm milioni shqiptarë dhanë përgjigje lidhur me këtë çështje për trajtimin e nënave me fëmijë të mitur, për politikat penale apo financiare, për probleme të punësimit apo të pensionimit, për emigrantët dhe integrimin, për shëndetësinë dhe fiskalitetin, për drejtësinë dhe mjedisin.
“Zëri i tyre kumbues duhet të dëgjohet. Eshtë imponues dhe dikton respekt. Ndaj është detyrimi ynë që t’iu rikthejmë njerëzve besimin e jashtëzakonshëm dhe nderin që na bërë, duke u angazhuar për politka që i dikton vullneti i tyre dhe për plane konkrete zbatimi që prekin jetën e tyre” – theksoi Ministrja Spiropali.