Në mesin e luftës në Ukrainë, SHBA-ja nuk e ka spostuar fokusin e saj nga Ballkani.

Një zyrtare e lartë e Pentagonit pohoi se ndonëse Moska po e ndryshon retorikën lidhur me objektivat në Ukrainë, ajo po përdor të njëjtat taktika shkatërruese kundër civilëve në terren. Ndërkohë, në një intervistë me Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Eurazinë Laura Cooper tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë në një emërues të përbashkët në mbështetjen e Ballkanit Perëndimor përballë përpjekjeve të Rusisë për destabilizim.

Cooper theksoi se Uashingtoni gjithmonë i kushton vëmendje Ballkanit Perëndimor dhe është i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të aleancës me Ballkanin dhe ruajtjen e partneriteteve të forta në të gjithë rajonin. “Pa dyshim ka një histori të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në rajon duke u përpjekur të nxisë tensione. Dhe mendoj se ne po shohim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Jam vërtet e kënaqur jo vetëm nga niveli i vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, por edhe se mendoj se edhe partnerët tanë të BE-së janë investuar shumë në sigurimin e stabilitetit”, tha ajo.

Mes praktikave që ajo mendon se Rusia mund të përdorë të destabilizojë Ballkanin, janë ndërhyrja kibernetike, përfshirë manipulimin e hapësirës së informacionit, shenja të së cilave sipas saj vazhdojnë të shihen. Ajo gjithashtu shton se Moska mund të përdorë si mjet korrupsionin, që ka efekt veçanërisht gërryes në rajon, si edhe shitjet e armëve.