Ish-deputeti demorkat Astrit Patozi, ka komentuar situatën politike që po ndodh sot në PD. I ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, Patozi komentoi edhe takimet e Lulzim Bashës me demokratët në terren. Ai tha se e sheh mjaft të vonuar lëvizjen e Bashës, e cila nuk do të sjellë asgjë.
Pjesë nga diskutimi:
Xhokaxhi: Si e shihni lëvizjen e Bashës?
Patozi: Lulzim Basha është në të drejtën e vet të bëjë politikë, të godasë Berishën, të shpalli platformën e tij, por është i vonuar edhe në kohë dhe hapësirë. Është paradoksale që Basha sa kohë i rrezikohej pozicioni në PD nuk doli në fushatë, tani që doli ka humbur betejën. Unë nuk dua të flas për Bashën jo thjeshtë se e konsideroj kartë të djegur por nuk është edhe etike që ta shkelim të gjithë me këmbë. Nuk gjykoj se Basha ka të drejtën, cilësitë dhe mundësitë për drejtuar qoftë dhe një korrentë të PD-së.
Xhokaxhi: Pret dalje emrash të rinj?
Patozi: Nuk është e nevojshme, ajo varet nga instikti politik dhe projekti që mund të kenë ata që nuk e identifikojnë veten me foltoren. Berisha nuk e do bashkimin, do të mbyllë këtë cikël, do të marrë fuqinë legale dhe strategjia e tij është kjo që në Shqipëri pranohet ai që ka forcën, dhe thotë që këta që teprojnë, do lodhen dhe do kthehem një nga një tek ati i tyre shpirtëror dhe politik. Nuk e ka menduar keq, por jo të gjithë do 6të kthehen. Unë them se një pjesë e tyre ose do asgjësohen ose do të rigrupohen në rast se kanë vërtetë forcë dhe arsye për të vazhduar rrugëtimin politik.