Ndonëse Sali Berisha sillet si drejtues i PD dhe e ka marrë të mirëqenë faktin se sipas tij Komisioni i Rithemelimit është një organ legjitimin dhe vendimet e tij janë të detyrueshme për zbatim, në Gjykatën e Tiranës rezulton ende Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike. Komisioni i Rithemelimit prej datës 25 marsit ka marrë kontrollin e selisë së PD-së, por gjykata nuk e njeh atë ligjërisht. Shqiptarja.com ka siguruar dokumentin, i cili mban datën e sotme dhe Gjykata e Tiranës sqaron se partia drejtohet nga Basha.

Gjykata e Tiranës ende nuk ka regjistruar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri i cili njohu ndryshimet statutore të Sali Berishës, pasi vendimi i tij është apeluar nga PD dhe ende nuk është dhënë një vendim i formës së prerë. Pritet që Gjykata e Tiranës të japë një vendim nëse do të pranohet apo jo ankimi i Enkelejd Alibeaj.

Kjo mund të jetë edhe arsyeja sepse diplomatja amerikane Yuri Kim e njohu publikisht Enkelejd Alibeajn si kryetar në detyrë i Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, Komisioni i Rithemelimit thotë se ky ankimin është i pavlefshëm, pasi nënkryetarët dhe kryetari i PD-së janë shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Madje, Sali Berisha ditën e sotme sulmoi ambasadoren amerikane Yuri Kim hapur për faktin se ajo e quajti një ditë më parë Enkelejd Alibeajn kryetarin në detyrë të PD-së.

Berisha deklaroi se Kim po shkel Konventën e Vjenës si edhe Kushtetutën e Shqipërisë. Duke e quajtur Kim guvernatore dhe jo ambasadore, Berisha tha se nuk e përcakton ajo kryetarin e partisë. Kujtojmë që Gjykata e Tiranës më 25 mars regjistroi ndryshimet e Berishës në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021.

Gazeta Tema