Një sulm terrorist e ka konsideruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sulmin e regjistruar në fundjavë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri. Ndërsa u kërkoi organeve të rendit të hetojnë rastin, Kurti tha se nuk do të ketë asnjë tolerancë nga Qeveria për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë.

“Është Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës ato që i bëjnë analizat, studimet edhe të shkaqeve dhe të rrethanave të këtyre sulmeve mbi pjesëtarët tonë të policisë. Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist me qenë se me plumba, me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë, të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale”, tha Kurti.

Ai tha se sulmi i 15 prillit, kur sipas autoriteteve të rendit në Kosovë, policët ishin sulmuar teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë, kishte për qëllim të vriste policët.

“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga shteti i Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia e Kosovës”, tha Kurti.