Për Jozefina Topallin, dëmet që i ka shkaktuar Lulzim Basha Partisë Demokratike mund të kërkojnë kohë që të zhbëhen. Për emisionin ‘Kontrast’ në Report TV, ish-kryeparlamentarja demokrate tha se pavarësisht largimit të Bashës nga drejtimi i PD, ai po vijon përpjekjet për ta dëmtuar opozitarizmin në vend.
“Unë po e lexoj atë që po ndodh. Kanë ndodhur shumë gjëra që nuk i prisnim. Është e vërtetë që Lulzim Basha ka ikur, por ai po përpiqet me goditjet e fundit për të demtuar edhe në ikjen e tij të djathtën shqiptare. Ai ka lënë një efekt që mund të zgjasë përtej këtij 10 vjeçari sepse ka krijuar modelin e një politikani që ngrihet në majë pa asnjë kontribut dhe asnjë betej.
Dhe mbi të gjitha pasurohet në mënyrë të qëllimshme në opozitë. Këto janë dy element që mund t’u krijojë të tjerëve përshtypjen e gabuar se në politikë mund të arrish shumë pa pasur kontribute” – tha ish numri dy i PD, Jozefina Topalli.
Ajo shtoi për “Kontrast” se Basha ka ende në mbështetje një pakicë të vogël që po përpiqet të mbetet në skenën politike përmes deklaratave mediatike dhe aksioneve të tjerë.
E pyetur për deklaratën e Gabriel Escobar për Sali Berishën, Topalli tha se në fakt e shkuara e demokratëve është Lulzim Basha.
“E kaluara për PD është djegie mandatesh, mos hyrje në zgjedhje dhe mos lejim vote. Sigurisht që pa një opozitë të fortë s’ka demokraci në botë. Për periudhën që jetojmë, Sali Berisha është i vetmi që I kthjelloi demokratët dhe mund të arrijë bashkimin. Unë nuk them që Berisha është i përjetshëm, por për momentin është i duhuri aty” – tha Topalli për “Kontrast” në Report TV.