Dixhitalizimi i Kadastrës, përfshirë bazën e saj të të dhënave dhe ofrimin e shërbimit online për qytetarët është mundësia e vetme për të shmangur mundësitë për korrupsion në këtë institucion. Eleminimi i kontaktit të drejtpërdrejtë të qytetarit me punonjësin e Kadastrës dhe pastaj gjurmueshmëria e veprimeve të nëpunësve përmes sistemit online, kufizojnë në mënyrë të ndjeshme hapësirat për korrupsion.
I këtij mendimi është Valdrin Pjetri, ish-drejtues i Kadastrës dhe tashmë i rikthyer në rolin e një eksperti për çështjet e pronave. Gjatë një interviste për MCN TV, Pjetri theksoi se dixhitalizimi dhe përfshirja e portalit “e-Albania” ka shkurtuar kostot dhe efikasitetin për qytetarët.
“Më parë qytetari duhet të takonte punonjësin e zyrave të shtetit dhe të sillte dokumentet fizikisht. Tashmë me krijimin e E-Albania qytetari nuk shkon më fizikisht, por mjafton një aplikim dhe aty le gjurmë. Kjo kërkesë i adresohet punonjësit të ASHK dhe më pas në zyrat e ASHK dokumentohet informacioni, ndërsa përgjigja sillet nëpërmjet e Albania-s. Qëllimi ishte të largohej kontakti fizik i qytetarit me punonjësin e shtetit. Në shumë raste është konstatuar se kjo nxit korrupsionin. Kur nuk është ky kontakt, punonjësi i shtetit është i detyruar që atë që ka kërkuar qytetari ta përpunojë. Punonjësi i ASHK që nuk përcakton afatet e parashikuara, atëherë është në shkelje. Kur qytetari aplikon atëherë le gjurmë. Aty duket qartë se shërbimi i ofruar ka qenë brenda afateve apo”, tha Pjetri.
Duke ju referuar përvojës së tij si drejtues i Kadastrës, ai renditi disa nga qytetet që kanë pasur problematikat më të larta: “Kadastrat apo zyrat që janë në zonat që kanë interesa më të mëdha, si Durrës, Vlorë Shëngin janë të bazuara në shumë interesa. Atje ka tendencë për abuzime, ndaj dhe vëmendja ka qenë te zyrat e problemit. Kadastra e Vlorës ka hasur problematikën e regjistrimit fillestar. Kjo ndihmon edhe investitorët”.
Digjitalizimi është e ardhmja dhe e vetmja mundësi për të reduktuar ndjeshëm korrupsionin, sidomos në zyrat e Kadastrës, ndaj dhe sipas Pjetrit duhet punuar intensivisht në këtë drejtim.
“Shqipëria është rritur në klasifikim në shërbimet e ofruara online. Duhet shkuar drejt shërbimeve online. Kjo është më e mira, megjithëse ka problematikat e veta. Online shkon paralel dhe një arkivë dixhitale. Ka miliona dokumente, këto janë në arkivat tona. Duke i kaluar edhe në format dixhital ia shtojmë sigurinë juridike, jetëzgjatjen”, u shpreh Valdrin Pjetri.