Nga një bomber në tjetrin. Aldo Serena, sulmuesi me 161 gola në 462 ndeshje në karrierë, është i bindur se Dusan Vlahovic është njeriu i duhur për të ndërtuar projektin e ri të Juventusit.
“Sigurisht që ishte një investim shumë i shtrenjtë, – tha ai për “Corriere dello Sport”, – por edhe i llogaritur, menduar, miratuar pas analizave të ndryshme në çdo nivel. Prandaj, më duket investim korrekt.
Ai është në moshën e duhur, ka aftësi dhe kualitete të larta. Mjafton të vazhdojë kështu duke u përpjekur gjithmonë të përmirësohet, të lustrojë ato situata në të cilat ai nuk është ende në krye”.
Në krahasimin me Mbappe dhe Haaland, të avancuar personalisht nga Allegri, Vlahovic e nis sot pak me vonesë, sipas ish-sulmuesit:
“Haaland dhe Mbappé kanë treguar më shumë ndërkombëtarisht deri më tani, ai ende nuk ka pasur mundësi ta bëjë këtë. Megjithatë, sigurisht që është një perspektivë e madhe, mund ta arrijë nivelin e tyre”.