Zvicra ka miratuar ditën e sotme raundin e fundit të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, teksa agresioni ushtarak rus vazhdon në Ukrainë dhe çdo ditë dalin raporte të reja për mizoritë e kryera.

Departamenti Federal Zviceran i Çështjeve Ekonomike dhe Arsimit ka vendosur gjithashtu sanksione financiare dhe kufizime të udhëtimit për 200 individë të tjerë, përfshirë dy nga vajzat e presidentit rus Vladimir Putin.

Lista e sanksioneve të Zvicrës tani pasqyron plotësisht atë të BE-së dhe amendamentet përkatëse do të hyjnë në fuqi në orën 18:00 me orën lokale.

Bashkimi Evropian miratoi të enjten një raund të pestë të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Sipas vendimit të ri, që nga gushti i këtij viti do të ndalohet blerja, importi ose transferimi i qymyrit dhe lëndëve djegëse të tjera të ngurta fosile nga Rusia.

Anijet ruse nuk do të lejohen të hyjnë në portet e BE-së, përveç anijeve që transportojnë produkte bujqësore dhe ushqimore, ndihma humanitare dhe energji.

BE-ja po ashtu do të ndalojë kamionët rusë dhe bjellorusë, me një përjashtim për automjetet që transportojnë produkte mjekësore dhe ushqimore, si dhe ndihmë humanitare.

Blloku evropian gjithashtu zgjeroi ndalimin e eksportit të teknologjisë së përparuar si gjysmëpërçuesit, softuerët dhe makineritë e ndjeshme, si dhe përfshiu ndalimin e transaksioneve në katër banka të tjera ruse.

Rreth 217 individë dhe 18 subjekte gjithashtu u shtuan në listën e sanksioneve të BE-së.