Në një takim me të rinj dhe të reja të Elbasanit ku ishte e pranishme dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi dhe kryetari i bashkisë, Gledjan Llatja, sekretari i përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, i garantoi ata se kanë bërë zgjedhjen e duhur.

Gjiknuri, i cili është njëherësh dhe drejtues politik për qarkun Elbasan, tha se idetë e të rinjve kanë qenë kurdoherë pjesë e agjendës së PS që është treguar përmes përfaqësimit të tyre në strukturat e Partisë, në këshillat bashkiakë dhe Parlament.

“Ne duam të jetojmë, të ushqehemi, por mendojmë dhe politikisht se nuk jemi indiferentë për gjërat që na rrethojnë, për atë që sheh, për atë që ndodh, politikat që bëhen. Dhe njeriu i thotë vetes: po mirë unë çfarë jam këtu, vetëm votues? Pikërisht këtu fillon dilema e parë dhe akti i parë. Dua të bëhem dhe unë pjesë që të ndryshoj rregullat. Sa më shumë të rinj ta popullojnë PS, aq më shumë presion pozitiv do të ketë dhe për gjerat që shikoni te ne dhe do të doni që të ndryshojnë. Të rinjtë kanë energji dhe idealizëm. Suksesi do të vijë nga ajo që quhet inteligjencë sociale. Sa më i aftë të jeni duke komunikuar me njerëzit, sa më praktik në jetën e përditshme, aq më shumë do të keni sukses”, theksoi Gjiknuri.

Ministrja e Arsimit, njëherësh dhe deputete, Evis Kushi tha se PS ka në fokus të politikave të saj arsimin e të rinjve dhe punësimin e tyre.

“Ne vlerësojmë shumë vlerën e rinisë, energjisë e rinisë, frymëzimin që na jep çdo ditë rinia. Ndaj dhe në të gjithë strukturat tona drejtuese kemi të rinj dhe të reja. PS ia jep shansin të drejtojnë dhe në nivele të larta. Kur flasim për rininë dy janë elementet kryesore: arsimi dhe punësimi. Në arsim ne kemi një politikë bazë që është ndërkombëtarizimi i universiteteve, ne duam që rinia të qëndrojë këtu në Shqipëri. Po punojmë me universitetet më të mira evropiane që të bëjmë programe të përbashkëta, t’i sjellim këtu që të mirët të. mos kenë nevojë të ikin jashtë, por të studiojnë këtu, ta shikojnë Shqipërinë si të ardhmen e tyre”, nënvizoi ministrja.

Teksa ftoi të rinjtë që të bëhen pjesë e forumeve të Partisë Socialiste, kryebashkiaku Gledjan Llatja solli eksperiencën e tij të aktivizimit politik me FRESSH.

“Unë vetë jam futur në FRESSH që 16 vjeç. Jam marrë aktivisht me Forumin Rinor, jo se kisha dëshirë të merresha me politikë, por doja të bëhesha pjesë e ndryshimit. Të gjithë kanë një qëllim politik që të bëjnë një ndryshim dhe PS është ajo që jua jep këtë mundësi”, deklaroi kryebashkiaku Llatja.