Deputeti i PD Tritan Shehu deklaron se aborti nuk mund të jetë një e drejtë universale e gruas, ai ka të bëjë me ndërprerjen e një jete tjetër.
Duke iu referuar vendimit që pritet të Gjykatës Supreme të SHBA, sipas të cilit, shumica konservatore e gjyqtarëve po përgatitet ta përmbysë vendimin e vitit 1973 “Roe v. Wade”, që ka legalizuar abortin në nivel kombëtar, Shehu shkruan se duhet të jetë një sinjal i fortë në mbrojtje të jetës edhe për Shqipërinë.
Sipas tij, ky vendimi i pritshëm i asaj gjykate duke rrëzuar atë sentencë do t’i hapë rrugë kufizimit të aborteve e vendosjes sipas shteteve të rregullave të qarta juridike e racionale për ato në SHBA, që do të influencoje pozitivisht për përballjen me këtë veprim “anti jetë”!
STATUSI I PLOTË
Shqipëria është një vend ku ekziston një legjislacion i ekuilibruar për të drejtën e abortit, që pa dyshim ka nevojë për disa përforcime e kontrolle më të qarta.
Megjithatë Shqipëria është një vend ku aplikimi i ligjit dhe kontrolli i tij janë në anarki të plotë.
Sipas të dhënave shumë të cunguara kemi arritur në 2200 jetë të humbura nga abortet në 5 vitet e fundit, me rreth 200 të tilla për 1000 lindje.
Dhe rezultatet janë tragjike, prej vitit 1991 janë “vrarë” nëpërmjet abortit rreth 33000 mijë femra, duke bërë që raporti i lindjeve meshkuj/femra nga 105/100 që është normalisht, të kalojë në 112/100.
Kjo për shkak të aborteve selektive të realizuara mbi javën e 12 të shtatzënisë që parashikon ligji, si veprimtari kriminale këto.
Për këtë, (edhe për shkaqe të tjera) nataliteti ka rënë në 1,7 fëmijë për grua, kur niveli i minimal i mbijetesës së shoqërisë është 2,1.
Aborti dhe planifikimi familjar janë krejt të ndryshme, abortet rriten kur dështon planifikimi familjar.
Duhet kuptuar drejt, aborti nuk mund të jetë një e drejtë universale e gruas, ai ka të bëjë me ndërprerjen e një jete tjetër.
Pra këtu hynë elemente të shumtë, të kufizimit të të drejtave të dikujt përpara cenimit te të drejtës së tjetrit për të jetuar, pra në mbrojtje të jetës, të moralit, vlerave e mbijetesës së shoqërisë, luftës ndaj shfrytëzimit të gruas, kriminalitetit etj.
Prandaj vendimi i pritshëm i Gjykatës amerikane duhet konsideruar si një përpjekje shumë pozitive për të goditur këto fenomene “anti jetë” e evituar abuzivizmin e konfuzionin në emër të një liberalizmi anarkist.
Kjo Gjykatë po rrëzon sentencën Roe vs Wade të vitit 1973, që realisht e nxjerr abortin jashtë kontrollit, duke e mundësuar atë deri në limitin kohor të shtatzënisë se “mbijetesës së fetusit në ambientin e jashtëm”.
Kjo do të thotë të pranosh abortin lirshëm minimalisht deri në javën e 24 të shtatzënisë, që është e pa justifikueshme në çdo plan.
Ky vendimi i pritshëm i asaj gjykate duke rrëzuar atë sentencë do t’i hapë rrugë kufizimit të aborteve e vendosjes sipas shteteve të rregullave të qarta juridike e racionale për ato në SHBA, që do të influencoje pozitivisht për përballjen me këtë veprim “anti jetë”!
Ky vendim që duhet përshëndetur do të reflektojë edhe jashtë SHBA në qëndrimin ndaj abortit, për “mbrojtjen e jetës”.
Ai e duhet të jetë një nxitje edhe në vendin tonë, për masa konkrete “pro jetë”!