Këngëtarja Albërije Hadërgjonaj ka qenë e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Në kurthin e Piter Pan”. Ndër të tjera ajo është ndaluar dhe ka folur më shumë rreth Beatrix Ramosaj, mbesës së saj. Sipas saj, komentet në rrjetet sociale kanë ndikuar mjaft negativisht dhe e kanë bërë Trixën të kalojë momente të vështira. Albërija ka përfituar nga rasti të japë mesazhin e saj në lidhje me këtë temë.
“E vërteta e gjithë kësaj situate të pakëndshme, është se njerëzit asnjëherë nuk ulen të mendojnë një situatë të dikujt tjetër. Një vajzë si Beatrix është shumë e brishtë, disa vajza dhe djem i përjetojnë pak më ndryshe situatat. Trixa është një vajzë shumë e çiltër, e keni parë të gjithë, është një vajzë e padjallëzuar dhe e përjetoi shumë, sepse përveçse na bombarduan të gjithëve, u bullizuam të gjithë.
Në rastin e Beatrixit, unë nuk e kam kuptuar se ishte një gjë që nuk ishte asgjë, thjesht vërshimet e atyre njerëzve me ato komente negtive e kanë bërë të kalojë momente të vështira. Bullizimi online është më i dëmshëm se ai përballë, është shumë herë më i rëndë. Beatrix është shumë e butë dhe shumë delikate në çdo vendim, por një super talent, një vajzë bukuroshe dhe për këtë duhet vlerësuar dhe jo t’ia humbasësh të gjitha vlerat tjetrit”- u shpreh ajo.
Ajo vijoi duke thënë se – “Unë dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që fshihen pas një telefoni, se duhet të mendoni një gjë. Nëse ajo vajzë ka një vëlla, një motër, ai djalë ka një motër apo vëlla, duhet të kuptojnë se ka njerëz që janë të ndjeshëm dhe mund t’i çosh deri në fazën e depresionit, ose në një fazë të pakëndshme. Unë uroj që njerëzit të kuptojnë se bota e artit nuk është aq reale sa jeta e përditshme dhe do të doja shumë të gjithë njerëzit të jenë pozitivë, sepse në fund nuk bëjnë asgjë, përveç se i prishin ditën dikujt”.