Në fillim të çeljes së sezonit turistik në qytetin e Vlorës anijet e vogla turistike të ankoruara në Portin Detar kanë nisur tashmë udhëtimet e para drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
Drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “në muajin prill dhe ditët e para të muajit maj grupe të vogla turistësh janë nisur me anijet turistike, për të shijuar bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone”.
“Operatorët turistikë, të cilët zgjedhin të nisen nga Porti i Vlorës drejt destinacioneve atraktive si Karaburuni dhe Sazani, këtë sezon turistik do të shtojnë edhe numrin e anijeve, për të përballuar fluksin e turistëve, që këtë vit pritet të jetë i lartë”, theksoi Malaj.
Malaj tha “aktualisht operojnë 4 anije turistike, ndërsa në sezonin turistik do të jenë 14 anije, të cilat janë licencuar për të kryer këto udhëtime”.
Sipas tij, udhëtimi me anije iu ofron mundësi reale turistëve për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.
Sazan-Karaburuni, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në Vlorë është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës.
Me një shtrirje detare rreth 1,9 km në këtë park detar ndodhen monumentet e natyrës, Shpella e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike. Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë.
I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë.