Nga Eduard Zaloshnja

Nga një anketim rreth besimeve fetare në kryeqendrën e vendit, që e zhvillova para ca kohësh me anketues të shpërndarë në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë (me kuota përpjestimore demografike e gjeografike për secilën nga 24 njësitë administrative brenda katërkëndëshit Krrabë-Shëngjergj-Zall Herr-Ndroq), më rezultoi se besimimi fetar në popullsinë e rritur tiranase ka shpërndarjen e paraqitur në Tabelën 1.
Marzhi i gabimit statistikor rreth përqindjes së besimtarëve sunitë është plus/minus 3.1 pikë përqindje (për besimet e tjera marzhi është më i vogël, sepse sa më e vogël është përqindja e një treguesi në anketim, aq më i vogël është intervali i gabimit rreth tij).
Tabela 1. Në cilën fe besoni, nëse besoni?

%
Mysliman/e (Sunit) 63.9
I/e Krishtere (Ortodoks) 11.9
Mysliman/e (Bektashi) 9.6
I/e Krishtere (Katolik) 4.9
I/e Krishtere (Protestant) 0.7
Tjetër 0.7
Ateist 5.7
Agnostik 0.5
(Nuk pranon të tregojë) 2.0

Po sa të devotshëm janë tiranasit ndaj besimit të tyre fetar? Në mënyrë të tërthortë, përgjigjen e kësaj pyetje e marrim duke kryqëzuar pyetjen paraardhëse me përgjigjet e pyetjes tjetër në anketim: “Sa shpesh i frekuentoni shërbimet/ceremonitë fetare?”. Përgjgjiet e të anketuarve (Tabela 2) tregojnë që më shumë se gjysma e “besimtarëve” të vetëdeklaruar nuk ndjekin ose rrallë ndjekin shërbime/ceremoni fetare.
Tabela 2. Sa shpesh i frekuentoni shërbimet/ceremonitë fetare? (Vetëm besimtarët)

%
Më shumë se një here në javë 2.9
Një here në javë 11.1
Një ose dy here në muaj 6.6
Disa here në vit 27.9
Rrallë 31.0
Asnjëherë 21.7