Atmosferë elektrizuese, ushqim i mirë, teknologji dhe hapësira rekreative, performance baleti, zonë e dedikuar për fëmijët, e shumë e shumë të tjera.
Çfarë mund të kërkosh më shumë nga Tirana e këtyre ditëve që epiqendrën e saj e ka në sheshin Skënderbej. Spring Festival ka nisur të “gëlojë”çdo natë dhe qindra njerëz po bashkohen në këtë ndalesë të veçantë.
Tingujt e muzikës do t’ju drejtojnë drejt sheshit “Skënderbej” deri më 15 maj. Shumë artistë do të ngjitën në skenën e Spring Festival për të elektrizuar atmosferën dhe shumë artistë të rinj do t’ju rrëmbejnë zemrat duke e bërë festivalin një ekperiencë të paharrueshme për të gjithë.
Po çfarë gjen në festival? Pije të shumëllojshme vendase dhe të importit, Street Food, ushqime për të gjitha shijet, filma në natyrë, shfaqje e artistëve të ndryshëm dhe punimeve të tyre në qeramikë, pikturë, orendi dekorative etj, Garage Sale për fëmijë dhe të rritur.
Ndërkohë në seksione të dedikuara, secili do të shesë orendi, piktura, sende të ndryshme.
Dren Abazi dhe Kapelet ishin “crème de la crème”e premierës bashkë me Brios Band dhe “Microfolie”në shesh, por ditët e tjera të Spring Festival në zemër të Tiranës, do të jenë po kaq magjike. Teatri i Shkupit, Mentor Haziri, Urban Band, Fanfara, e shumë të tjerë do të pushtojnë skenat e dedikuara. E dëgjoni zhurmën që tani??? Nuk keni parë asgjë akoma….
Mbrëmja e 14 Majit do të jetë ajo që do të presë Teatrin Kombëtar të Kosovës me “Zgjimin e Pranverës“, vetëm një nga ndalesat e bukura të sheshit që duket se nuk do të flejë kurrë këtë muaj.