Nga Mero Baze
Dy javë më parë Sali Berisha akuzoi Enkelejd Alibeajn se po negocion me Edi Ramën të bëjë Lulzim Bashën president. Pastaj i vazhdoi akuzat për bashkëpunim me Edi Ramën, duke e quajtur detyrimin kushtetues për konsultime rreth zgjedhjes së presidentit si “thikë pas shpine” për opozitën. Si për t’ia shtuar inatin, Edi Rama përsëriste refrenin e tij se “me të vdekurit nuk negociojmë”, duke ju referuar Sali Berishës.
Dje në mbrëmje papritur Sali Berisha paska caktuar dy negociatorë nga partia e tij, të negociojnë me Edi Ramën për presidentin, pa bërë kujdes të kujtojë se çfarë ka thënë këto dy javë për ata që duan të negociojnë për presidentin.
Lëvizja e fundit e Berishës vlen për të kuptuar makthin e Berishës dhe jo atë që do të ndodhë. Ajo që do të ndodhë është që Edi Rama do konsultohet me krerët e grupeve parlamentare, në rastin e PD me Enkelejd Alibeaj, dhe do vazhdojë procedurën për zgjedhjen e presidentit, duke përsëritur atë refrenin e tij që “me të vdekurit nuk kam punë”.
Po përse Berisha u zbyth dhe brenda dy javësh, pa ja kërkuar njeri, kaloi nga denoncues i procesit, në lëpirës të Edi Ramës për ta pranuar në tryezë?
Problemi më serioz që ka Sali Berisha tani e tutje me mbështetësit e tij, është izolimi dhe mospërfillja nga gjithkush. Izolimin nga SHBA muajt e parë e kuroi me sulmin ndaj Lulzim Bashës, duke mbajtur lart adrenalinën e mbështetësve të tij, që u bindën për një komplot të Lulzim Bashës kundër tij. Tani kjo fabulë mbaroi.
Pasardhësi i Lulzim Bashës në PD është edhe më i ashpër, edhe më pa komplekse se Lulzim Basha kundër tij. Shumica dërmuese e grupit parlamentar të PD e ka braktisur Sali Berishën dhe numrat vetëm sa rriten.
Mbështetësit e Sali Berishës, e vetmja gjë që po kuptojnë qartë, është se janë të parëndësishëm për askënd. Ata janë të parëndësishëm për grupin parlamentar, të parëndësishëm për qeverinë, të parëndësishëm si faktor politik në vend, dhe mbi të gjitha të izoluar dhe damkosur nga SHBA dhe Bashkimi Europian.
Mospërfillja publike e Edi Ramës ndaj Sali Berishës, është vrastare për të. Konsiderimi si “i vdekur dhe i pakallur” dhe injorimi i çdo sulmi apo kërkese të tij, e bën Sali Berishën një udhëheqës fantazmë, që flet me hijet.
Nëse vëreje sot në konferencën për shtyp, ai kërkonte debat me Edi Ramën, përballje fizike me të, që njerëzit ta marrin seriozisht se atë e përfill dikush. Edhe në mbrojten që bënte ndaj akuzave për Gërdecin dhe 21 janarin, përpiqej të gjente paralele me “krimet” e Edi Ramës.
Kështu, fjala vjen 26 të vdekurit nga biznesi kriminal i djalit të tij në Gërdec, i quante viktima, ndërsa 24 të vrarët nga tërmeti i 2019 i quante të vrarë nga Edi Rama. Përpjekja për të gjetur simetri shifrash, krimesh dhe mbi të gjitha, përpjekja për t’u përfillur nga qeveria si palë dhe opozitë e vërtetë, është beteja e tij për jetë a vdekje.
Në këto momente, kur SHBA e ka në listën e zezë, kur Bashkimi Evropian ka bërë gati draftin ta fusë nën të njëjtin standard sanksionesh, në kohën që dhe disa senatorë rumunë që vijnë në Tiranë nuk takojnë atë, por Alibeajn, në kohën kur Edi Rama e quan “të vdekur e të pakallur” dhe shumica e deputetëve e injorojnë si lider partie, armiku më i madh i tij është braktisja dhe mospërfillja, e cila i dëshpëron mbështetësit.
Ndaj për dy javë ai lëpiu atë që pështyu dhe dërgoi dy negociatorë “të bisedonin” me Edi Ramën për presidentin. Nuk i duhet as presidenti, as ndonjë negociatë reale, por i duhet ta shikojnë se po merret seriozisht. Por nuk po ja del dot.