Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme të ndërhynin ushtarakisht nëse Kina do ta sulmonte Tajvanin. Kështu deklaroi Presidenti Joe Biden gjatë një konference për shtyp në Tokio, kur u pyet nga gazetarët për të qartësuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Kjo deklaratë përfaqëson një zhvendosje nga qasja e “paqartësisë strategjike” të përqafuar prej kohësh për këtë çështje nga presidentët amerikanë.
Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme të ndërhynin për të mbrojtur Tajvanin, nëse Kina do ta sulmonte atë.
Në një konferencë për shtyp në Tokio, Presidenti Biden u pyet nëse Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të “përfshiheshin ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin”, duke pasur parasysh se Uashingtoni nuk u tregua i gatshëm ta bënte këtë pas agresionit rus në Ukrainë.
“Po. Ky është zotimi që kemi marrë”, tha Presidenti Biden, pa shpjeguar se çfarë do të përfshinte një mbrojtje hipotetike e Shteteve të Bashkuara për Tajvanin.
“Arsyeja pse e them këtë është sepse tashmë nuk bëhet më fjalë vetëm për Ukrainën. Nëse, pas gjithë ç’ka bërë (Putini) do të ketë një riafrim mes ukrainasve dhe Rusisë, dhe sanksionet nuk vazhdojnë, atëherë çfarë sinjali do t’i dërgohej Kinës për koston e një përpjekjeje për ta marrë Tajvanin me forcë?”, shtoi Presidenti Biden.
Kjo është ‘lëvizja e fundit’ e dukshme e Presidentit Biden nga qasja e “paqartësisë strategjike” që presidentët amerikanë kanë përqafuar prej kohësh kur flitej për një pushtim të mundshëm kinez të Tajvanit.
Kina e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur dhe është zotuar se do ta rimarrë atë, nëse do të jetë e nevojshme edhe me forcë. Ministria e jashtme kineze dënoi komentet e Presidentit Biden.
“Askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë, vullnetin dhe aftësinë e popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial. Mos i dilni kundër 1.4 miliardë kinezëve”, tha Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Presidenti Biden prezantoi gjithashtu të hënën një iniciativë që synon të demostrojë angazhimin ekonomik amerikan në Azi, përkundër aktivitetit të Kinës. Megjithëse i vlerësojnë këto përpjekje, kritikët thonë se një kuadër i tillë bashkëpunimi nuk do të përbëjë detyrim ligjor për vendet pjesëmarrëse.
“Nga ana e tyre, kinezët po e kodifikojnë angazhimin e tyre. Mendoj se është problematike kur Shtetet e Bashkuara nuk po e bëjnë një gjë të tilë. Nëse jemi në këtë konkurencë ekstreme me Kinën, ne nuk po veprojmë si ata. Dhe duket se ata po bëjnë punë më të mirë”, thotë Derek Grossman, Korporata RAND.
Sidoqoftë, Presidenti Biden konfirmoi mbështetjen amerikane për politikën e “një Kine të vetme”.
“Mbështesim politikën e ‘një Kine të vetme’. Mbështesim hapat e ndërmarrë në të kaluarën, por kjo nuk do të thotë se Kina ka juridiksionin që të ndërhyjë dhe të përdorë forcën për të marrë Tajvanin. Prandaj, qëndrojmë të vendosur përkrah Japonisë dhe vendeve të tjera në mënyrë që kjo të mos ndodhë. Nuk pres që të ndodhë; nuk do të ketë përpjekje për diçka të tillë. Shumë do të varet nga sa fort bota do ta bëjë të qartë që një veprim i tillë do të shkaktojë pakënaqësi afatgjatë në komunitetin botëror”, tha Presidenti Biden.
Bazuar në politikën e “një Kine të vetme”, Shtetet e Bashkuara njohin Pekinin si qeveri të Kinës dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Tajvanin.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara mbajnë kontakte jozyrtare me Tajvanin, madje edhe një ambasadë de facto në kryeqytetin Taipei. Shtetet e Bashkuara e furnizojnë Tajvanin me armatime ushtarake për të mundësuar mbrojtjen e këtij vendi ishullor./VOA