I pyetur nga gazetarët nëse do të pranonte një propozim nga Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi të cilët kanë nisur negociatat me aletatët e Partisë Demokratike, Balla tha se nga “bota e përtejme nuk do të pranohen propozime.”

“Kush propozohet nga Berisha nuk vlen. Nga bota e përtejme nuk pranojmë propozime.”

Nga ana tjetër, Balla tha se uron që ditën e nesërme Grupi Parlamentar i PD-së të marrë një vendim e t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së mazhorancës për një takim për çështjen e kreut të shtetit.

“Dëshira jonë e madhe është që t’i japim Shqipërisë një president konsensual.”

Kurse, i pyetur nëse PS ka gati një emër për kreun e ri të shtetit, Taulant Balla shtoi edhe një herë që profili është gati por do të priten diskutime për të zgjedhur një figurë të përbashkët.

“PS prej ditës së parë, kryetari ka qenë i qartë në një dëshirë për të mos zgjedhur një president të PS, por të të gjithë shqiptarëve. Të zgjidhet me një votë mbështesë sa më të madhe….E kemi përcaktuar ku synojmë, kush janë fushat nga ku mund të vijë personi që përmbushë pritshmëritë për të qenë president…”