Boris Johnson ka nënshkruar një zotim mbrojtjeje me Finlandën, që do të thotë se vendi mund të mbështetet te ndihma e Mbretërisë së Bashkuar nëse do të ketë nevojë për të. Duke folur në Helsinki, ai përsëriti se NATO nuk përbën kërcënim për askënd ndërsa shtoi se qëllimi kryesor i aleancës është mbrojtja reciproke.
Kryeministri britanik u shpreh: “Pushtimi i Ukrainës ka ndryshuar ekuacionin e sigurisë evropiane dhe ka rishkruar realitetin tonë dhe ka riformuar të ardhmen tonë. Ne kemi parë fundin e periudhës së pas Luftës së Ftohtë dhe pushtimi i Ukrainës fatkeqësisht ka hapur një kapitull të ri.”
Sipas Johnson, pushtimi ka dështuar tashmë për dy arsye.
“Së pari, për shkak të shpirtit të pathyeshëm të popullit ukrainas që ka luftuar dhe ka mbledhur botën pas tyre. Së dyti, sepse lufta e Ukrainës për liri, ajo luftë heroike, e ka bashkuar botën në dënimin e këtij sulmi ndaj vlerave tona dhe do të ishte e drejtë të thuhet se gjithashtu ka afruar Finlandën dhe Britaninë e Madhe sot.”
Ai më pas foli për marrëveshjen e sigurisë që dy vendet nënshkruan sot. Kreu i qeverisë britanike theksoi se marrëveshja siguron dy vendet se mund të intensifikojnë partneritetin dhe ta çojnë atë në lartësi të paprecedent.
“Forcat tona të armatosura do të stërviten, operojnë dhe ushtrojnë së bashku, duke bashkuar aftësitë tona të mbrojtjes dhe sigurisë dhe duke zyrtarizuar zotimin se ne do t’i vijmë gjithmonë në ndihmë njëri-tjetrit.”