Gjatë debatit në konferencën e kryetarëve, Grida Duma u shpreh se maxhoranca duhet të votojë ose të rrëzojë një emër të opozitës që të enjten në seancë parlamentare.
Duma: Nuk iu ka përjashtuar njeri nga procesi se në fund ju e zgjidhni vetë. Por keni pasur propozimin: jepjani kandidatin opozitës, shkoni votojeni dhe hidheni poshtë. Por që ne të jemi fasada këtu që me kriteret tona ju të nxirrni Presidentin dhe ta votoni dhe të talleni, këtë ta harroni. Unë jam me logjikën të mos e shpejtojmë. Të enjten bëni seancën, të vijmë me një emër nga opozita dhe bëjeni edhe kundër po të doni. Kandidati i qëndron opozitës, votoni standardin e kandidatit tonë. Në rast se nuk e votoni, votat pastaj i keni në xhepet dhe e votoni.
Spiropali: Alibeaj thotë diçka, pastaj Duma thotë diçka tjetër. Pastaj ajo që thotë Mediu që kishte kuptim dhe ishte e arsyeshme. Kur vini përballë nesh duhet të bini dakord se çfarë doni prej nesh. Alibeaj tha se është e rëndësishme se si hyn në këtë process, por më e rëndësishme është se si del nga ky process. Ju ende nuk keni hyrë në process, keni çuar vetëm letra. Ju folët për një sfidë të kulturës së vjetër të pazareve dhe skutave, por nuk dhatë asnjë shembull. Ju sërish paraqesni kushte dhe nuk e sfiduat këtë kulturë. Ju nuk e keni detyrim ndaj nesh ardhjen në konferencë kryetarësh. E keni detyrim ndaj atyre që iu kanë votuar. Meqë po flasim për procese dhe vullnete, letrat nuk i zëvendësojnë proceset. Duma tha të sjellim emrin të enjten. Bujrum, silleni emrin por bini dakord për datat kur do ti sillni.