Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar ditën e sotme se propozimi i Enkelejd Alibeajt për procesin dhe kriteret për Presidentit, është i vlefshëm në rastin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, dhe jo në rastin e Presidentit.
Balla thotë se në këtë rast, i takon edhe maxhorancës që të propozojë emrin për President.
“Kam bindjen që ai që duhet të fitojë në këtë raund është procesi dhe duhet të fitojë Shqipëria që të ketë një proces që të dalë një president për të gjithë shqiptarët. Kemi të gjithë maturinë politike të punojmë për një president që të përfaqësojë unitetin, sikurse e thotë Kushtetuta dhe të jetë mbi palët.
Nuk dua të paragjykoj se është proces që do vazhdojë dhe nesër, është njoftuar Konferenca e Kryetarëve, prej nesër fillon zyrtarisht procesi, bie dakord me kolegët e opozitës që ta zgjedhim bashkë.
Ne i kemi numrat ju e dini, mund ta zgjedhim, por duam që ky proces të ketë qasje për të komunikuar dhe dialoguar. Propozimi që vjen nga kolegët e PD, ashtu si është propozuar është i vlefshëm në rastin e zgjedhjes s së Avokatit të Popullit, në rastin e Presidentit kemi dhe ne të drejtën për të propozuar”, tha Balla.