Bisedimet e javës së kaluar për kandidaturën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, të organizuara nga Turqia në kompleksin presidencial nuk u zhvilluan në nivelin e dëshiruar, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
Duke folur me gazetarët në aeroplan pas një udhëtimi në Azerbajxhan, Erdogan tha se “fatkeqësisht, bisedimet e delegacionit tonë me Finlandën dhe Suedinë nuk ishin në nivelin e dëshiruar”.
Duke thënë se Suedia dhe Finlanda kanë pritshmëri të mëdha nga këto bisedime, Erdogan shto megjithatë se ato nuk ndërmorën hapat e nevojshëm për kërkesat e Turqisë dhe theksoi se terroristët ende po shëtisin në rrugët e Stokholmit ndërsa Suedia i mbron ata me polici.
“Ne nuk mund të përsërisim gabimet e bëra në të kaluarën për të pranuar vendet që përqafojnë dhe ushqejnë terroristë të tillë në NATO, e cila është një organizatë sigurie”, tha ai.
Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO më 18 maj, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.
Por, Turqia, një anëtare e aleancës, ka shprehur kundërshtimin ndaj aplikimeve të tyre për anëtarësim, duke kritikuar shtetet nordike për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.