Rreth 260 ushtarë ukrainas janë evakuar nga uzina e rrethuar e çelikut ”Azovstal” në qytetin port të Mariupolit, pas javësh të bllokuar brenda saj, njoftoi ushtria ukrainase. ”Pesëdhjetë e tre luftëtarë të plagosur rëndë u dërguan në një institucion mjekësor në Novoazovsk të kontrolluar nga separatistët”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

Të paktën 211 të tjerë u dërguan në fshatin Olenivka, që është i pushtuar nga trupat ruse dhe do të kthehen në Ukrainë më vonë pas një shkëmbimi të burgosurish.

Përpjekjet për evakuimin e luftëtarëve të mbetur në uzinë po vazhdojnë. Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Maliar ndërkohë tha se të gjitha detyrat për të mbrojtur Mariupolin ishin përmbushur. ”Luftëtarët që mbronin Mariupolin i kishin dhënë Ukrainës kohë jashtëzakonisht të rëndësishme për të krijuar rezerva, për të rigrupuar forcat dhe për të marrë ndihmë nga partnerët”, tha ajo në Facebook. ”Gjëja më e rëndësishme tani është të shpëtojmë jetët e luftëtarëve që kanë mbrojtur Mariupolin”, tha ajo.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndërkohë theksoi në fjalimin e tij të përditshëm me video se Ukraina ka nevojë për heronjtë e saj të Mariupolit. ”Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ishin ndër partnerët që ndihmuan autoritetet ukrainase me evakuimin”, tha Zelensky.