Të mërkurën në orën 21:00, në Olimpico të Romës, Inter do të kërkojë trofeun e dytë sezonal pas Superkupës me zikaltërit që do të sfidojnë në finalen e Kupës së Italisë, Juventusin. Klubi nga Milano në këtë sezon ka një bilanc pozitiv ndaj bardhezinjve nisur nga fakti që në dy përballjet e kampionatit ka barazuar një dhe ka fituar një tjetër, pa harruar edhe suksesin në kohën shtesë në Superkupë po ndaj Zonjës së Vjetër të Massimiliano Allegrit.

Tashmë, Inter do të kërkojë të mbetet e pamposhtur edhe në ndeshjen e katërt ndaj rivalëve historikë, teksa zikaltërve iu jep shpresë edhe trajneri Simone Inzaghi, i cili ka statistika të shkëlqyera kur vjen pun ate përballjet me Juventus. Aktualisht, Inzaghi është trajneri i Serisë A që ka mposhtur më shumë herë bardhezinjtë, plot gjashtë herë ndërsa tre prej suksesve vijnë në Superkupën e Italisë, dy herë me Lazion dhe një herë me Interin.

Ndërkaq, Inzaghi ka një kujtim të hidhur në finalen e Kupës së Italisë në sezonin 2016-2017, kur Juventusi fitonte ndaj Lazios. Gjithsesi, Inzaghi do të kërkojë të ruajë statistikat e tij ndaj Juventus të mërkurën në mbrëmje dhe të mbyllë sezonin pa asnjë humbje në katër përballje kundër bardhezinjve. Kujtojmë se finalen e Kupës së Italisë mes Inter dhe Juventus të mërkurën, mund ta ndiqni në Supersport 2 duke nisur nga ora 21:00.