Në Mariupol vazhdon “misioni i evakuimit” i ushtarëve nga fabrika e çelikut Azovstal, sipas asaj qe konfirmon presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Moska dje njoftoi “dorëzimin” e 265 luftëtarëve ukrainas, duke përfshirë 51 “të plagosur rëndë”. Ukraina javën e kaluar raportoi praninë e më shumë se 1000 ushtarëve ukrainas, nga të cilët 600 u plagosën.

“Këta heronj ukrainas” që kanë “përmbushur misionin e tyre” do të shkëmbehen me të burgosur rusë për t’i lejuar ata të kthehen në vend “sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Ministria e Mbrojtjes e Kievit.

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Maliar, deklaroi se operacioni i shpëtimit të fabrikës së çelikut do të përfundojë vetëm kur të gjithë mbrojtësit e Mariupolit të jenë evakuuar në territoret nën kontrollin e Ukrainës.

Për Maliarin, thirrjet e politikanëve të Moskës për të gjykuar disa nga njerëzit e marrë nga fabrikat e çelikut për krime lufte “ka shumë të ngjarë të jene bërë me shume për propagandë të brendshme ruse”.