Rusia po i kërkon Perëndimit të heqë sanksionet, duke pretenduar se masat ndëshkuese po i pengojnë miliona tonë drithë dhe produkte të tjera bujqësore të dalin nga portet ukrainase.

Kjo po e shton krizën globale të ushqimit, pasi Ukraina është ndër eksportuesit më të mëdhenj të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, produkte të cilat lufta nuk i po lejon të nisen për eksport. Zëdhënësi i Kremlinit e akuzoi Perëndimin për “veprime të paligjshme që sollën bllokadën”. Zyrtarët perëndimorë i kanë hedhur poshtë pretendimet e Rusisë. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vuri në dukje këtë javë se ushqimet, plehërat kimikë dhe farat janë të përjashtuara nga sanksionet amerikane.

Portet e Ukrainës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga flota ruse në Detin e Zi, duke ndërprerë kështu eksportin e mallrave thelbësore, përfshirë drithin dhe vajrat.

“Siç mund ta shikoni, lundrimi nuk është i dendur në pjesën perëndimore. Duken vetëm pak anije. Kjo është zonë me luftime dhe rreziqe nga minat dhe sulmet ajrore”, thotë Sergey Gorbachev, kapiten i rangut të parë në pension.

Të paktën 70 vaporë, 95% e të cilëve janë nga vende të tjera, qëndrojnë të bllokuar në portet ukrainase në Detin e Zi dhe në Detin Azov.

“U ndalua krejtësisht trafiku i anijeve, përfshirë varkat e peshkimit. Anijet nga Krimea veriperëndimore u ankoruan këtu, ndërsa iu ndalohet lundrimi”, thotë sipërmarrësi Andrey Bezukh.

Pasojat ndihen nga tregtarët në vend, ndërsa Ukraina po humbet miliona dollarë për shkak të problemeve me eksportet. Mosdërgimi në rrugë detare i produkteve thelbësore, në veçanti i drithërave, ka vendosur në rrezik sigurinë ushqimore të botës.

“Dikur kishim 6 milionë tonë, që niseshin nga portet dhe pikat e transportit. Tani jemi diku tek 600-700 mijë në muaj”, thotë tregëtari i drithit Vitaly Lavrov.

Qindra anije vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara edhe në Krime. Ndërsa anijet nuk mund të lëvizin, bizneset e peshkimit në këtë gadishull gjenden në vështirësi.

“Kompania po pëson humbje. Kishim parashikuar 100 tonë peshk për vitin 2022. Dhe kjo është vetëm një pjesë e kuotës për Krimenë, që është në 352 tonë”, thotë sipërmarrësi vendas Andrey Bezukh.

Ndërsa kompanitë pra po pësojnë humbje, ndikimi është i drejtpërdrejtë tek zinxhiri i furnizimit global.

“Bëhet fjalë mbi të gjitha për eksportet e drithërave, e vajit vegjetal, vajit të lulediellit. E dimë sa të rëndësishme janë për balancën globale të ushqimit. Jashtëzakonisht të rëndësishme”, thotë Mikhail Voytenko, botues i “Buletinit Detar”.

Duke qenë se anijeve nuk u lejohet të lëvizin, njerëzit janë detyruar të kërkojnë për të gjetur një punë tjetër./VOA