Drejtoresha e Komunikimit e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Floriana Garo u shpreh sot në një dalje për mediet, se prej më shumë se 2 javësh, Gjykata e Tiranës nuk kthen përgjigje dhe nuk vë në dispozicion të Partisë Demokratike vendimin duke u bëre pengesë për të ankimuar këtë vendim në kundërshtim të plotë me ligjin. Ajo paralajmëroi kallëzim penal për shpërdorim detyre për cilindo personazh të përfshirë në këtë skenar të jashtëligjshëm.
“Konkretisht, që në datën 26 prill, Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës së Tiranës që t’i komunikojë vendimin e gjyqtare Blerina Muçaj e cila pranoi ankimin e deputetit Enkelejd Alibeaj kundër vendimit të Partisë Demokratike, me qëllim që të ushtronim të drejtën tonë ligjore të ankimit. Prej më shumë se 2 javësh, Gjykata e Tiranës nuk kthen përgjigje dhe nuk na vë në dispozicion vendimin duke u bëre pengesë për ta ankimuar këtë vendim në kundërshtim të plotë me ligjin”, u shpreh Garo.
Arsyeja e vetme e kësaj manovre vonese, sipas Garos është që dosja e regjistrimit në gjykatë të Kuvendit të 11 Dhjetorit të degdiset në gjykatën e Apelit përpara se Partia Demokratike të ketë mundësinë të ankimojë vendimin e gjyqtares Muça.
“Partia Demokratike i bën thirrje drejtuesve të Gjykatës Tiranë, përkatësisht kryetarit Flamur Kapllani dhe Kancelarit Donald Xhelili që të mos bëhen pjesë e këtij skenari bllokimi të paligjshëm”, u shpreh Garo.
Nga ana tjetër, vijoi Garo, “Partia Demokratike paralajmëron se në qoftë se deri në përfundim të orarit zyrtar të ditës së hënë ende nuk do t’i jetë komunikuar zyrtarisht vendimi i gjyqtares Muça, atëherë ajo do të paraqesë kallëzim penal për shpërdorim detyre për cilindo personazh të përfshirë në këtë skenar të jashtëligjshëm, pavarësisht pozicionit që mban.
“Organet drejtuese legjitime të Partisë Demokratike i zgjedhin dhe përcaktojnë vetëm demokratët me votën e lirë dhe s’mund t’i diktojë askush, as me vendime gjykate e as me marifete proceduriale”, përfundoi Garo.