Gjermania do të fillojë rihapjen e ambasadës së saj në Ukrainë, kështu u shpreh ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock gjatë vizitës së saj në Kiev.

“Ambasada do të fillojë të funksionojë me kapacitet të kufizuar”, tha Baerbock gjatë konferencës së përbashkët me homologun ukrainas.

Në fjalën e saj, ministrja e Jashtme u shpreh se presidenti rus Vladimir Putin ka rënë viktimë e vetëmashtrimit.

“Ai besonte se vlerat tona evropiane të lirisë dhe humanizmit, na bëjnë të dobët. Ukrainasit kanë vërtetuar se në realitet është e kundërta. Vullneti juaj për liri ju bën të fortë dhe dijeni se po luftoni për humanizmin tuaj kundër një ushtrie që njeh vetëm cinizëm dhe terror. Kjo është arsyeja pse lufta juaj shënon një pikë kthese në mosmarrëveshjen botërore midis demokracisë liberale dhe regjimeve autokratike”, tha Baerbock.

Baerbock u takua gjithashtu dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev.