Finlanda dhe Suedia kanë dorëzuar sot aplikimet e tyre për t’iu bashkuar NATO-s. Lajmin e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.
“Aplikimet që keni bërë sot janë një hap historik. Aleatët tani do të shqyrtojnë hapat e ardhshëm në rrugën tuaj drejt NATO-s,” tha Stoltenberg pas marrjes së aplikimeve nga ambasadorët finlandez dhe suedez në selinë e NATO-s në Bruksel.
“Duhet të merren parasysh interesat e sigurisë së të gjithë aleatëve dhe ne jemi të vendosur të punojmë për të gjitha çështjet dhe të arrijmë përfundime të shpejta.”
Deklaratat Stoltenberg i bëri së bashku me Klaus Korhonen, ambasadorin e Finlandës në NATO dhe Axel Wernhoff, ambasadorin e Suedisë në NATO.
Kujtojmë se vendimi i dy shteteve nordike, që kanë deri para pak kohësh neutrale, u nxit pas shqetësimeve të sigurisë me nisjen e luftës në Ukrainë.
Procesi i pranimit pritet të zgjasë dy javë, ndërkaq ratifikimi në parlamentet e 30 shteteve anëtare deri në një vit. Pavarësisht se procesi i pranimit pritet të marrë kohë disa javë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se do të vendosë veton kundër anëtarësimit të dy shteteve nordike.
Nëse Turiq “ndërron mendje” dhe nisin bisedimet e anëtarësimit, atëherë këto dy shtete mund të bëhen anëtare brenda disa muajsh. Procesi zakonisht merr kohë tetë deri në 12 muaj, por NATO pritet të përshpejtojë procedurat, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia për këto dy shtete.