Vetëm para disa minutash, skuadra e Feyenoord ka mbërritur në Tiranë për finalen e Conference League, ditën e mërkurë në orën 21:00 ku në impiantin Air Albania përballë do të gjejë Romën.

Por, holandezët nuk e kanë për herë të parë që mbërrijnë në Shqipëri dhe Tiranë pasi më parë e kanë vizituar kryeqytetin në vitin e largët 1991, ku u ndeshën në kuadër të kompeticionit Kupa e Kupave, një ndeshje e cila u mbyll në barazimin 0-0 në stadiumin e asaj kohe, Qemal Stafa.

Në atë ndeshje, një nga më të mirët për Partizanin ishte portieri Artur Lekbello, i cili ndali në më shumë se një rast holandezët. Dhe, sot, ekipi i Feyenoord është ritakuar sërish me portierin legjendar ndërsa në faqen zyrtare të Twitter kanë postuar momente nga ky takim së bashku me mbishkrimin; “Duke takuar një mik të vjetër”.