Sopranoja e njohur Inva Mula, ka rrëfyer përmes fotografive një pjesë të jetës së saj në emisionin “Dola te Ola” në News 24.

Në rrëfimin e saj, diva e muzikës ka rrëfyer dhe marrëdhënien me prindërit e saj Nina dhe Avni Mula.

“Fati më i madh që unë kam patur në jetë është se kam patur ata prindër”, tha ajo.

Sopranoja tha se mamaja e saj Nina Mula ka qenë shumë kërkuese me të dhe motrën e saj, “Kemi qenë shumë të disiplinuara”.

Inva tregoi se të gjitha të ardhurat që mamaja e saj fitonte shkonin për kurset e tyre pas shkollës, duke filluar nga pianoja, frëngjishtja, anglishtja, italishtja e deri te rrobaqepësia.

Ndërkohë për babanë e saj, Avni Mula, sopranoja tha se ka qenë shumë tolerant, “Babi ka qenë më pak prezent në edukimin tonë. Ka qenë gjithë kohës i angazhuar duke krijuar dhe kompozuar. Kishte autoritet si prind dhe artist”.
Inva tha se dy prindërit e saj investuan tek ajo dashurinë për artin dhe punën e madhe që duhet të bëjë një artist që në moshë të vogël.

Gjatë bisedës Inva rrëfeu momentin e vështirë kur ajo rreth moshës 15-vjeçare kishte menduar të hiqte dorë prej muzikës dhe të fokusohej në një fushë tjetër sikurse shoqet e saj. Një moment i rëndësishëm ky, i cili falë Nina Mulës u menaxhua siç duhej, duke e këshilluar dhe bindur të bijën se ato së bashku duhet ta provonin njëherë nëse ja vlente apo jo që Inva të merrej me muzikë.

Sopranoja foli në program edhe për marrëdhënien me motrën e saj e cila për të do të ngelet gjithmonë “motra e madhe” të cilës ia dëgjon këshillat e vyera. Një moment i bukur për artisten ishte kur në studio u shfaq një videomesazh nga motra e saj, e cila kishte zgjedhur disa fjalë të bukura zemre për të.