Çmimet e konsumit në Kanada u rritën me 6,8 për qind në bazë vjetore në prill, shifra më e lartë që nga janari i vitit 1991, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot.
Shifra u rrit nga 6,7 për qind në muajin e kaluar.
”Rritja e çmimeve u nxit kryesisht nga ushqimi dhe strehimi, ndërsa çmimet e karburantit u ngadalësuan nga marsi”, sipas agjencisë kombëtare statistikore të Kanadasë.
”Pa përfshirë benzinën, inflacioni u rrit me 5,8 për qind nga viti në vit në prill, pas një rritjeje prej 5,5 për qind në mars. Ky ishte ritmi më i shpejtë që nga prezantimi i të gjithë artikujve me përjashtim të agregatit special të benzinës në vitin 1999”, tha agjencia.
Kanadezët paguanin 9,7 për qind më shumë në prill për ushqimet e blera nga dyqanet në krahasim me prillin 2021.
”Kjo rritje, e cila kaloi 5 përqindëshin për të pestin muaj radhazi, ishte rritja më e madhe që nga shtatori 1981”, thuhet më tej.
Në prill, kostot e strehimit u rritën me 7,4 për qind në bazë vjetore, ritmi më i shpejtë që nga qershori 1983, pas një rritjeje prej 6,8 për qind në mars.
”Çmimet më të larta për burimet e energjisë të përdorura për ngrohjen e shtëpive, si gazi natyror (+22,2 për qind) dhe nafta dhe lëndët djegëse të tjera (+64,4 për qind), kontribuuan në rritje”, sipas agjencisë statistikore.
Operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë në fund të shkurtit vazhdoi të ndikojë në energjinë, mallrat dhe më së shumti çmimet e ushqimeve.
Në bazë mujore, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 0,6 për qind në muajin prill, pak mbi parashikimet prej 0,5 për qind.