Nga Ylli Pata
Deklaratat e Berishës në konferencën e sotme, se janë hedhur miliona euro që ai të mos fitojë si kryetar, kur është kandidati i vetëm në garë, ngjajnë me batutat në ato lokalet amerikane, ku ndërsa njerëzit po pijnë, një komik amator në podium përdor shaka pa kripër për të tërhequr vëmendjen. Do të kishin pasur sukses nëse përdoreshin në atë lokalin “comic show” te stadiumi dinamo, që u mbyll pasi e kërcënuan ca fanatikë muslimanë.
Që puna do të kishte përfunduar kështu, pa garë për të zgjedhur “një lider referendar” siç thotë Sali Berisha, kjo natyrisht që dihej, pasi jo vetëm që ai këtë ka bërë gjithë jetën, por kësaj here, nuk i duhen fare njerëz nëpër këmbë. Berisha kërkon të tregojë për inat të atyre që e kanë ndëshkuar për vdekje-pra amerikanëve, se ai është një “luan i vjetër” që si Cezzari do të thotë “erdha, pashë, fitova”.
Një proces paska i plotë, me zgjedhje normale, kandidatura alternative, këshill kombëtar gjithëpërfshirës nuk do t’i kishte prishur asnjë punë Berishës, pasi sërish do të kishte fituar si ai, ashtu edhe njerëzit e tij. Por gjithçka në këtë mesele niset nga inati dhe kërkon të luajë një “provë force” që nuk ka as logjikë e as arsye. I llastuar nga disa panelistë të darkës se “gjithçka është provë force” dhe se “doktori është turbinë”, të gjithë përpjekjen që nisi me foltoren e dhjetorit, doktori po e katandis në një one man show ku nuk resht së hedhuri shakatë e vjetra dhe “të famshme” të tij.
I nisur si një “luftë për demokraci”, “betejë për mbrojtjen e statutit”, “hapja e partisë”, as që nuk diskutohej që e gjitha do të vinte këtu në pikën ku jemi që Berisha do të bëhet kryetar i Partisë Demokratike. Por nëse kthehemi 6 muaj më parë në diskutimet plot pathos në panelet e darkës, vijnë si vizione deklaratat se e gjithë kjo betejë ka qëllime të pastra dhe Sali Berisha nuk ka asnjë interes për të marrë PD-në.
Nuk kuptohet pse i gjithë ky diskutim kot së koti, e gjithë kjo energji e shpenzuar për të ardhur në pikën e sotme kur u shpall referendum i vetmisë, ku Sali Berisha garon me veten e vet për të drejtuar partinë që ka arritur të marrë me vete nga PD-ja. Një fabul krejt e kotë, kur kuzhdo që gjykon me arsye, e ka ditur që Sali Berisha nuk është larguar prej asnjë dite nga drejtimi real i Partisë Demokratike. Fjalët pa fund në panele se “Berisha ka ikur pse e sulmoni” e gjëra të tilla ishin vetëm ujë në havan e energji e shpenzuar kot, siç ndodhi gjithë këto 6 muaj. Sali Berisha nuk e ka dhënë dorëheqjen kur e shpalli në selinë e PD-së pas humbjes së 23 qershorit 2013 lau me lot selinë e PD-së që më pas u bë e Bamir Topit.
Ai ka qenë kryetari real i opozitës, ndaj dhe vendimet bazë që ka ndërmarrë kjo opozitë apo strategjia që u ndoq kanë pasur ndikimin dhe vulën e tij.
I vetmi rast që i rrëshqiti toka nën këmbë ka qenë 17 maji i 2017-s kur Lulzim Basha bëri paktin me Edi Ramën, natyrisht edhe me shtytjen e ndërkombëtarëve. Por që më pas u pendua pasi Berisha me një të rënë telefoni kaloi rreth 200 mijë vota opozite drejt LSI-së së Ilir Metës.
E ku i bëri të ditur më pas Bashës që asnjë herë nuk do të vepronte në kundërshtim me të. Gjë që edhe bëri si kur dogji mandatet apo bojkotoi zgjedhjet e 2019-ë, që shpresonin t’i hidhnin në erë me dekretin e Ilir Metës për “jo zgjedhje”. Veprime që sikur kanë dalë nga duart e Lewis Carroll-it, autorit brilliant të “Lizës në Botën e Çudirave” ku festoheshin “jo ditëlindjet”, por që sot i mohojnë. Megjithatë, nga 9 shtatori, fuqia politike e Berishës nuk është e njëjta, ajo ekzaktësisht është zvogëluar me 10 herë, siç janë edhe shifrat e votimit të fundit në degët e PD-së. Ky është thjesht një proces politik që sapo ka filluar, e që u ndikua vetëm nga vendimi i qeverisë amerikane. Efektet e së cilit gjithashtu janë vetëm në fazën e parë… TemA