Kina dhe Rusia vendosën veto ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që kërkon rritjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut për shkak të testimeve raketore balistike.

Rezoluta e propozuar nga SHBA-ja për rritjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, u votua nga 15 anëtarë.

Ndërkohë që 13 vende votuan pro, Kina dhe Rusia vendosën veto ndaj rezolutës e cila parashikonte që eksporti vjetor i naftës së papërpunuar në Korenë e Veriut të pakësohet me një milion fuçi, ndërsa eksporti i naftës së rafinuar të pakësohet me 125 mijë fuçi.

Për pranimin e një rezolute në OKB është e nevojshme që të paktën 9 nga 15 anëtarët e saj të votojnë pro dhe që asnjë nga anëtarët e përhershëm SHBA-ja, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca të mos përdorin të drejtën e vetos.

Në të njëjtën kohë projektrezoluta parashikonte ngrirjen e aseteve të “Lazarus Group” piratit kumpjuterik që theksohet se ka lidhje me shërbimin sekret të Koresë së Veriut.

Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në OKB, Linda Thomas Greenfield në një deklaratë para votimit, tha se Koreja e Veriut ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare duke zhvilluar armët e shkatërrimit masiv dhe duke testuar gjashtë raketa balistike ndërkontinentale që nga fillimi i këtij viti.