Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka deklaruar gjatë mbledhjes së konferencës së Kryetarëve, se Shqipërisë i duhet një President që të mos i marrë “fytyrën” vendit përballë partnerëve strategjikë.

Duke iu drejtuar opozitës, ministrja Spiropali thotë se nuk e kupton kërkesën e tyre që PS të heqë dorë nga propozimet, teksa shton se ky proces duhet bërë në bashkëpunim.

Ministrja thotë se ndër vite, opozita ka propozuar dhe ka zgjedhur në postin e Presidentit, personalitete që kanë qenë pjesë e brendshme e Partisë Demokratike. Spiropali thekson se kjo nuk është një praktikë që do ta ndjekë Partia Socialiste, duke shtuar se duhet një President që përfaqëson interesin kombëtar të vendit.

Spiropali: Jemi dakord të gjithë që ka një kohë për të bërë politikë, për të folur për procedurë, në Kushtetutën duhet që Presidenti të zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat. Kjo është për faktin që parashikohet që si proceset e brendshme të partive të ndodhin në faza të ndryshme. Se këtu në Konferencë të Kryetarëve është bërë zakon të vihet dhe të flitet për proceset e brendshme të Partisë Socialiste, në një mungesë absolute të një procesi në anën tjetër, ky është një diskutim që nuk dua ta shtjelloj këtu, pasi nuk dua të nxis asnjë lloj debati në një ditë që kemi dakordësi të plotë për raundin e parë. E dëgjoj që përsëriten zarfet, përsëriten propozimet, konsultimet me shoqërinë civile, a thua se janë mëkat. Është ajo që duhet të bëjë çdo grup parlamentar.

Ne nuk kemi vendosur asnjë kusht për opozitën. As për grupet parlamentare, kemi qenë të hapur për të thënë që ne kemi disa kushte e kritere brenda grupeve tona dhe përcaktojmë një profil të Presidentit, edhe duke pasur parasysh barrën e përgjegjësisë dhe të pushtetit të madh që kemi, që na ka dhënë vota. Duam një President të Republikës, jo që t’i shërbej Partisë Socialiste. Si interesi jonë, në përputhje me interesin kombëtar. Duam të marrim kontribute, emrat më të mirë por të mos na vihen kushte. Nuk i kuptoj deklaratat nga Komiteti i Lirisë dhe Çlirimit të Partisë Demokratike që i kërkojnë PS-së të heqë dorë nga e drejta e propozimit. Të bëjmë këtë proces të përbashkët, ta bëjmë këtë punë të hapur. Nuk ka ndodhur asnjëherë që PS të ketë zgjedhur President të Republikës përveç Rexhep Mejdanit. Në të gjitha rastet e tjera është negociuar me opozitën. Kemi pranuar apo keni votuar ish-ministra të brendshëm të partisë tuaj, anëtarë të Partisë së Punës. Merrni me rradhë emrat që keni vendosur kur ishit shumicë në këtë vend. Ne kurrë nuk e kemi bërë këtë zgjedhje. Jemi të gatshëm t’i japim këtij vendi një President që përfaqëson interesin kombëtar, që nuk na merr fytyrën me partnerët tanë strategjikë.