Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca mori pjesë në hapjen e sezonit turistik në Shëngjin. Krifca u shpreh përmes një postimi në rrjetet sociale se, “në Lezhë sheh lirisht të jetësuar vizionin që kemi për të afruar zhvillimin rural me turizmin”. “Ky qark, që turizmin rural e ka në fakt të jetësuar në 12 muajt e vitit falë natyrës bujqësore, blegtorale, traditës, trashëgimisë kulturore, gjuhës, historisë e kulinarisë”, tha Krifca.
“Në mikpritjen e Kryetarit Pjerin Ndreu bashkuam forcat me ministren Mirela Kumbaro për hapjen e sezonit turistik në Shëngjin ku u mblodhëm bashkë me plot miq, të ftuar nga jashtë, ambasadorë, sipërmarrës të turizmit, artizanë, artistë ushqimi dhe prodhues”, theksoi Krifca.
Krifca gjithashtu falënderoi dy shefat e kuzhinës së Mrizit të Zanave dhe Rapsodia për përgatitjen e menusë shqiptare. “Munda një moment të falenderoj nga afër chef Altinin e Mrizit të zanave dhe shef Alfredin e restorant Rapsodia, ambasadorët e kulinarisë së traditës për menunë shqiptare ekzekutuar me hijeshi si një pasaportë mbresash në drekën e të ftuarve të UEFA”, u shpreh Krifca.