Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka bërë thirrje për dërgesa më të shpejta të ndihmës ushtarake nga Perëndimi, për shkak të sulmeve të rënda ruse në lindje të vendit të tij.
“Është shumë herët për të arritur në përfundimin se Ukraina i ka të gjitha armët që i nevojiten”, shkroi Kuleba sot në Twitter.
Ofensiva ruse në Donbas është një betejë e pamëshirshme, më e madhja në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ai tha se vendi i tij ka nevojë kryesisht për raketahedhës dhe artileri me rreze të gjatë. Kuleba ka shkruar se kishte folur në telefon edhe me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken për dërgimin e armëve të rënda.
Kuleba akuzoi sërish Rusinë fqinje, e cila filloi luftën tre muaj më parë, për vjedhjen e grurit ukrainas.