Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ishte në Dibër ku inspektoi zyrat e Gjendjes Civile mbi ecurinë e ofrimit të shërbimeve online që ka nisur prej 1 maj it.
Lamallari shoqërohej nga Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, kryetari i bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, dhe zv/Kryetari i bashkisë Bulqizë, Haxhi Pulja.
Lamallari diskutoi me punonjësit e zyrave të Gjendjes Civile mbi ecurinë e revolucionit dixhital që ka nisur prej 1 majit.
Zv.ministri u njoh me masat që po zbatohen dhe sfidat e hasura. Ai kërkoi më shumë ndërgjegjësim për përdorimin e platformës/aplikacionit E-Albania.
“Qytetarët nuk kanë më nevojë të kërkojnë shërbimin e nevojshëm në sportele të ndryshme! Aplikimi i tyre online nënkupton detyrimin e punonjësit të administratës të shkarkojë nga sistemi i brendshëm të gjithë dokumentet e nevojshme të institucioneve të ndryshme dhe plotësojë dosjen në shërbim të qytetarit”, theksoi Lamallari.
“Punonjësit e 150 sporteleve fizike të Gjendjes Civile lehtësojnë, udhëzojnë dhe ndihmojnë qytetarët për qasjen personalisht në shërbimet online, shumë thjesht dhe pa humbur kohë me 1 klikim”, u shpreh ai.
Lamallari i shprehu mirënjohje, kryetarit Rahim Spahiu për gatishmërinë dhe angazhimin personal në mbështetje të revolucionit digjital.