Respektimi i standardit për vlerat monetare ndikon në informimin ekonomik e financiar të publikut.
Një pjesë e përmbajtjeve audio/audiovizive që transmetohen nga OSHMA-të janë nga fusha ekonomike dhe financiare, në formën e informacionit, analizës, krahasimit dhe prezantimit të dukurive nga aktualiteti dhe prirjeve për të ardhmen.
Nga monitorimi që kryen Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, evidentohet përcaktim i qartë në vlerat monetare, ku ato shprehen në monedhën kombëtare, Lek. Por ka dhe jo pak raste kur artikulohen vlera në “Lek i vjetër” ose “Lek i ri”, koncepte të tejkaluara, që lidhen me reformën monetare të vitit 1965, kur zyrtarisht Shqipëria realizoi një proces të zëvendësimit të kartmonedhave të vjetra me model të ri.
Kanë kaluar dekada nga ajo periudhë dhe ende ekziston përdorimi “Lek i vjetër” apo “Lek i ri”, si një keqpërdorim termash, që sjell dhe konfuzion dhe paqartësi për qytetarët. Media audio/audiovizive me ndikim në opinion publik duhet të luajë një rol të moderuar, duke aplikuar vetëm standardin e emërtimit të vlerave monetare.
Kjo vlen dhe për disa emisione argëtuese që aplikojnë lojra dhe lotari me akordim të çmimeve të ndryshme për fituesit, ku aplikimi i emërtimit në vlerë monetare me “Lek të vjetër” merr nuanca sugjestive për ndjekësit.
AMA nxit dhe inkurajon OSHMA-të për njehsimin e emërtimit, duke u bazuar tek standardi, si një qëndrim realist dhe profesional në informimin e analizimin e dukurive ekonomike e financiare, apo dhe në atmosferën e lojrave zbavitëse e kuiceve që shpallin fitues mes pjesëmarrësve.