Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro priti në ambientet e ministrisë përfaqësues të kompanisë të lojës së famshme “Monopoly” e cila vjen me edicionin zyrtar edhe në Shqipëri.
Deri tani, Monopoly ka krijuar edicione të ndryshme në mbarë botën, duke përfshirë edhe vende të rajonit, ndërsa shqipja do të jetë gjuha e 45-të e saj.
“Unë mendoj që është një iniciativë shumë e mirë kjo e “Monopoly”, veçanërisht për t’iu qasur një publiku të ri që mbase nuk ndjek lajme, nuk sheh televizor, nuk lexon portale, nuk i ndjek politikanët, por duke luajtur këtë lojë dhe duke mësuar për Shqipërinë dhe Kosovën përmes saj është promovimi më i mirë që mund të bëjmë. Kështu i kthejmë ata në ambasadorë të aseteve që ne kemi në të dy shtetet tona”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Gjatë lojës zbulohen destinacionet më interesante të vendit, qoftë ato natyrore, qoftë ato me interes kulturor, pjesë të sporteve, edukimit, apo sipërmarrjeve.
Ministrja Kumbaro theksoi se Tirana këtë vit është Kryeqyteti Europian i Rinisë, prandaj duhet promovuar veçanërisht.
“Tirana duhet të ketë një vend të rëndësishëm pasi këtë vit, është edhe kryeqyteti europian i rinisë dhe duke qenë se ky është një produkt që u drejtohet të rinjve, na duhen destinacione që janë shumë atraktive dhe për ta”, përfundoi ministrja.
Përfaqësuesit e “Monopoly” do të nisin menjëherë turin në Shqipëri për përzgjedhjen e vendeve që do të promovohen, ndërsa edicioni zyrtar i lojës në shqip do të jetë gati për festat e nëntorit.