Kjo e shtunë është një ditë zie për politikën shqiptare dhe veçanërisht për Partinë Socialiste, pasi gjatë paradites u mësua lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të pedagoges së mirënjohur të Shkencave Sociale dhe ish-deputetes, Edlira Haxhiymeri.
Për humbjen e koleges së saj ka reaguar edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila ka shprehur një mesazh ngushëllimi.
“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Edlira Haxhiymerit. Edlirën do ta kujtojmë si një pedagoge e shkencëtare të shquar, me kontribute të spikatura për më shumë se tre dekada në Universitetin e Tiranës dhe arsimin shqiptar, në jetën politike e publike, si një aktiviste e palodhur e shoqërisë civile, nënë e bashkëshorte, qytetare e angazhuar për progresin e shoqërisë dhe të grave e vajzave të Shqipërisë! U prehsh në paqe, Edlirë e dashur!”, shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.