Prej më shumë se tre vitesh shqiptarët i blejnë qeset plastike nëpër markete kur duan të transportojnë produktet e blera, por duket se kjo nuk ka ndaluar përdorimin e tyre në vend.

Nisur nga kjo, qeveria vendosi që të ndalojë tërësisht përdorimin e qeseve plastike nëpër markete duke ndryshuar ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Sipas këtij ligji, duke filluar nga dita e nesërme, 1 qershor 2022, supermarketet dhe çdo dyqan lagjeje e ka të ndaluar që të japë qese plastike për klientët, në të kundërt rrezikojnë të gjobiten.

Konsumatorët që shkojnë në markete do të duhet që të marrin me vete edhe trajsat, në të kundërt duhet që t’i blejnë aty kundrejt një çmimi shumë herë më të shtrenjtë se qeset plastike.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë ndikimi i këtij vendimi në mbrojtjen e ambientit në vend, pasi burimet e plastikës janë të ndryshme dhe qeset plastike janë vetëm një formë e ndotjes me plastikë.