Fituesi i edicionit të parë të “Big Brother VIP”, Ilir Shaqiri ka dhënë një intervistë për revistën Class, ku është ndalur te raporti me Sabianin pasi është përfolur për një përçarje ndërsa pati një koment dhe për emisionin e “rivalit”, Donaldit.

I pyetur për mikun më të mirë pas BB, Iliri tha se ka disa miq të mirë me të cilët vazhdon që të mbajë marrëdhënie të mira, por pa përmendur emrin e Sabianit.

“Kam disa miq të mirë dhe vazhdoj të mbaj marrëdhënie të mira me ta, sepse dinë çfarë flasin pa kushtëzime dhe pretendime, si gjatë programit, ashtu edhe pas tij. Në miqësi çdo gjë duhet të lindë në mënyrë spontane dhe nga zemra, përndryshe është falsitet dhe hipokrizi”, tha ai.

Pse u prish marrëdhënia me Sabianin?

“Mendoj që ne të dy i kemi dhënë shumë njëri-tjetrit, si brenda, edhe jashtë shtëpisë. Kur dikush bën për mua, di t’ia vlerësoj dhe ta rikëmbej pa ma kërkuar askush. Rëndësi ka kur miqtë dinë çfarë bëjnë dhe flasin në situata të ndryshme, për më tepër kur jemi në qendër të vëmendjes dhe para syve të publikut. Gjithsesi, mendoj që Sabiani është njëri nga ata që, nëse më ka qëndruar më afër një herë, i kam treguar që di ta vlerësoj dhjetë herë, si me fjalë, ashtu dhe me vepra. Pastaj, fjalët e tepërta janë fukarallëk dhe komentet e lagjes tek unë s’kanë asnjë efekt.”, tha balerini.

Pyetjes se përse nuk ka shkuar në programin e Donaldit, ai iu përgjigj: “Sepse doja ta lija të fliste në shtëpinë e tij. Në fund të fundit, është emisioni i tij dhe titulli duhej t’i përshtatej Donaldit, jo mua. Të përsëritnim BBV në ditën e 137-të të tij, mendoj nuk do kishte kuptim për vetë titullin e emisionit.”