Rreth 5 mijë familje të Njësisë Nr. 5 në Elbasan do të kenë shumë shpejt një qendër të re shëndetësore që plotëson të gjithë standardet. Falë bashkëpunimit të ngushtë me Fondacionin “Mirënjohja” dhe Ambasadës e Kuvajtit, kanë nisur punimet për Qendrën e re Shëndetësore pas prishjes së objekteve të ndërtuara pa leje. Punimet u inspektuan dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut i shoqqëruar nga Kryetari i Bashkisë Gledjan Llatja.

Gjiknuri theksoi se ky investim është tregues i vullnetit të Bashkisë për t’i shërbyer plotësimit të nevojave të komunitetit. “Është një projekt shumë i mirë dhe dua t’ju përgëzoj për punën e kryer në bashkëpunim me fondacionet e bamirësisë që e kanë marrë përsipër. Një bashkëpunim i mirë mes palëve që bën të mundur një investim shumë të rëndësishëm për komunitetin. Shpesh herë ne të ndodhur në politikë ndihemi para një lloj presioni, por dhe na vjen keq, kur njerëzit thonë që unë kam ndërtuar dhe tani do të prishet godina, por për këto lloj objektesh me dobi komunitare, komuniteti na mirëkupton. Ky është një shembull i mirë që bashkia ka parë interesat më të mëdha se sa ato interesa të vogla”, tha Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, u shpreh se ky investim do të pasohet me të tjera që synojnë përmirësimin e infrastrukturës. “Patjetër që kjo lagje nuk ka nevojë vetëm për qëndrën shëndetësore. Ne po punojmë sëbashku për promovimin e disa projekteve që do të ndikojnë në rregullimin e lagjes. Janë bërë punë të mira në Elbasan për shumë zona të qyetit. Janë vepra që bëhen gjithmonë në funksion të transformimit të këtij qyteti të mrekullueshëm. Meriton më shumë vëmendja dhe ajo nuk do të mungojë”, nënvizoi ai. Kryebashkiaku Llatja bëri të ditur se në Elbasan ka nisur një projekt për zhvendosjen e qendrave shëndetësore nga ambientet brenda pallateve, në godina të reja në bashkëpunim dhe me komunitetin.