Hungaria dhe Serbia mund të mbështeten te njëra-tjetra gjatë kësaj krize të rritjes së inflacionit në Evropë.

Kështu ka deklaruar, kryeministri hungarez Viktor Orbán gjatë vizitës së tij në Serbi.

“Nëse Hungarisë i mungon diçka, ja ku jemi. Nëse na mungon, fillimisht do të telefonojmë Budapestin”, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë panairit bujqësor.

Ai falënderoi Orbanin për “marrëdhëniet miqësore dhe partneriteti me Serbinë” dhe për “përparimin e jashtëzakonshëm në marrëdhëniet” midis dy vendeve.

Nga ana tjetër, kryeministri hungarez tha se Budapesti nuk pajtohet me masat ekonomike të papranueshme të miratuara në Bruksel, duke krahasuar disa sanksione kundër Rusisë me bombën atomike dhe paralajmëroi se kjo mund të sjellë një valë të re emigrantësh.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Orban theksoi se “për Serbinë është e vështirë sepse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe për Hungarinë sepse është anëtare e BE-së”.

Presidenti serb është i bindur se “kriza nuk është ende e dukshme” në dritë të plotë, por se “një dimër i ashpër e pret gjithë botën”.

Ai ka thënë se Serbisë nuk i mungon asgjë, por se çështja e furnizimit me energji duhet të zgjidhet.

“E pyeta kryeministrin Orban nëse mund të ruanim një pjesë të energjisë në Hungari dhe ai më tha brenda një sekonde se nuk kishte probleme dhe se ishte zgjidhur, kështu që do ta përfundojmë zyrtarisht javën e ardhshme”, theksoi Vuçiç.

Panairi Ndërkombëtar i Bujqësisë në Novi Sad është një nga panairet më të mëdha në rajon dhe këtë vit mblodhi rreth 1 mijë e 100 ekspozues nga Serbia dhe 21 vende të tjera.