Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ndoqi nga afër një ditë nga trajnimi i efektivëve të Forcës Tokësore nga një grup i Brigadës së Sigurisë dhe Trajnimit të Komandës Evropiane të SHBA (SFAB). Ministri Peleshi tha se ky trajnim i shërben rritjes së nivelit të Forcave të Armatosura shqiptare, si pjesë e NATO-s dhe çertifikimit, në shtator nga Aleanca.
“Ne kemi një kapacitet të deklaruar në NATO të dislokueshëm në raste operacionesh, në raste nevojash që është grup Batalioni i Këmbësorisë. Natyrisht na duhet vazhdimishit të trajnohemi dhe të mbajmë standardet e kërkuara nga NATO e për këtë kemi nevojë për asistencë. Kemi asistencë të vyer nga partneri strategjik SHBA, të cilët përmes Brigadës së Sigurisë dhe Trajnimit punojnë bashkë me Forcën Tokësore, grup batalionin e këmbësorisë për t’i ngritur në nivelin që kërkon NATO. Në shtator jemi të bindur që me sa po shohim, me ecurinë e këtyre stërvitjeve, trajnimeve ne do të marrim me sukses çertifikimin e kapacitetit tonë të deklaruar në NATO”, u shpreh ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Nga ana e tyre Komandanti i Forcës Tokësore general brigade Arben Kingji si dhe Kapiten Peter Habsburg, drejtues i Brigadës dhanë më shumë detaje rreth trajnimit. Aktualisht në Zall Herr është akomoduar një ekip i SFAB, në përbërje të të cilit ka ekspertë të fushave të ndryshme (artileri, shëndetësi, ndërlidhje, taktikë, logjistikë, xheniere, përgatitje shtabi, etj) që do të sigurojnë asistencë të specializuar për GBKL. Ata do të qëndrojnë për një periudhë 6-mujore me rrotacion. Gjatë kësaj vizite u ndoqën nga afër sekuenca të trajnimeve stërvitore nga efektivët e batalionit të Dytë të Këmbësorisë si dhe u ekspozuan pajisje te ndryshme.