Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar sot se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga Perëndimi po provokojnë një krizë globale.

Një deklaratë të tillë lideri rus e bëri gjatë një takimi mbi çështjet ekonomike.

“Autorët e tyre, të udhëhequr nga ambiciet politike dritëshkurtëra, të fryra, rusofobiake, goditën në një masë të madhe interesat e tyre kombëtare, ekonomitë e tyre, mirëqenien e qytetarëve të tyre. Ne e shohim këtë, para së gjithash, në një rritje të mprehtë të inflacionit në Evropë”, tha Putin.

Sipas liderit rus, vazhdimi i obsesionit ndaj sanksioneve të Perëndimit do të çojë në mënyrë të pashmangshme në “pasojat më të vështira, të pazgjidhshme” për Bashkimin Evropian, si dhe për vendet më të varfra në botë, raportoi CNN.

“Faji për këtë është tërësisht i elitave të vendeve perëndimore, të cilat janë të gatshme të sakrifikojnë pjesën tjetër të botës për të ruajtur dominimin e tyre global”, tha ai.

Putin shtoi se Rusia po përballet me sfidat e jashtme të provokuara nga sanksionet perëndimore dhe inflacioni në vend po ngadalësohet.

“Rritja javore e çmimeve tashmë ka rënë në 0.1%, kjo është tashmë afër normës javore të rritjes që korrespondon me objektivin e inflacionit të Bankës së Rusisë,” tha ai.