Kryebashkiaku i Tiranes, Erion Veliaj komentoi ditën e sotme procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Duke folur për Report TV, Veliaj nënvizoi se kreu i ri i shtetit duhet të ketë një karrierë të konsoliduar dhe të qëndrojë si unifikues i Kombit. Veliaj theksoi se Presidenti i ri nuk duhet të jetë si Ilir Meta apo Bujar Nishani, që u sollën si brigadierë komunaleje.
“Deri tani procesi ka qenë shumë i hapur për të caktuar disa kritere që do e bënin kandidaturën eventuale një kandidaturë të pranueshme. Pra, PS edhe pse i ka votat, dhe në fakt socialistët ndihen që ka ardhur koha për një president socialist, duke qenë se populli ka votuar mjaftueshëm deputetë për këtë vullnet, e megjithatë për PS nuk është qëllimi këtu. Qëllimi është të kemi një vend funksional. Kjo do të thotë se për herë të parë ne kemi vënë rregulla të brendshme: pra nuk do të jetë deputet i PS apo politikan aktiv i PS.
Nëse dikush vjen, qoftë si i pavarur apo qoftë dhe me bindje të ndryshme nga tonat, por nuk është aktiv në politikë, por do të shërbejë në këtë funksion – mund të vijë nga Akademia, nga diplomacia, mund të vijë nga Forcat e Armatosura – pra me një karrierë të konsolidar si profesionist, kjo do t’i bënte mirë Shqipërisë. Për mua si kryetar bashkie, do të doja një president që nuk merret me pusetat e Tiranës, një president që nuk nxit miletin, që është shpronësuar, të djegë gomat dhe të bllokojë Astirin. Një president që nuk merret në çfarë ane rrjedh Lana dhe merret me lloj lloj kanalesh të ujërave të zeza.
Një president që nuk merret me kënde lodrash. Kemi pasur president që shkon dhe proteston për këndin e lodrave. Nuk i bën një president normal në botë. Unë si Kryetar bashkie do të doja të kisha një president normal. Kemi pasur dy presidentë të cilët merreshin si brigadier komunaleje non stop me punët e qytetit. Kjo është anormale. Nëse duan të merren me punët e kryeqytetit, le të kandidatojnë për kryetar bashkie. Po nëse janë aty si unifikim i kombit, duhet të jenë aty që të unifikojnë kombin. Skema si ajo që pamë tek qendra e emergjencave civile, të cilat presidenti i toksikuar i ngatërroi me zyrat e FRD, janë skena për karikatura, janë butafori”, deklaroi Veliaj.