Deputeti i PD, Luciano Boçi, mbështetës i Sali Berishës ka reaguar për zgjedhjen e presidentit të ri duke thënë se grupi parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh.
“Grupi Parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedurë. PD ka miratuar rezolutën për zgjedhjen e Presidentit në Këshillin Kombëtar. Çdo përpjekje e Alibeajt për të paraqitur një opozitë false të emëruar nga Rama-Balla, nuk pranohet. Kjo e folura dhe paraqitja e vendimeve personale në emër të Grupit parlamentar të PD-së përpos që është qesharake, mbetet një hile bajate, për të marrë atribute të paqena dhe për të mbajtur gjallë një përçarje që dihet se kujt i shërben.
Grupi Parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedure për zgjedhjen e Presidentit, siç e paraqet z. Alibeaj. Nuk ka pasur as vendim të Kryesisë grupit parlamentar, as mbledhje të grupit, as takim me kuorum për ta quajtur mbledhje grupi dhe as dakortësi në takimet pa kuorum. Ky lloj keqpërdorimi i sinqeritetit dhe dëshirës së deputetëve të PD-së për të negociuar dhe propozuar Presidentin duhet të marrë fund.
PD ka organet e saj vendimmarrëse dhe ka miratuar rezolutën për zgjedhjen e Presidentit në Këshillin Kombëtar. Grupi parlamentar është i unifikuar në idenë që është opozita ajo që duhet të propozojë. Çdo përpjekje e Alibeajt për të paraqitur një opozitë false të emëruar nga Rama-Balla për të shpëtuar faqen e Ramës faqe botës, nuk pranohet. Ne do të vazhdojmë misionin e PD-së për të përafruar qëndrimet për procesin dhe emrin me të gjithë partitë opozitare në nivel politik e parlamentar”, shkruan Boçi.